DEPARTAMENTIT TË MEKANIKËS SË STRUKTURAVE
Në këtë historik të shkurtër të Departamentit të Mekanikës së Strukturave është vënë më tepër theksi në krijimin dhe funksionimin e para-rendëses së tij, Katedrës së Rezistencës së Materialeve, si dhe në zhvillimet rreth kohës (v.1992) kur u krijua ky Departament.
Katedra e Rezistencës së Materialeve u krijua dhe filloi të funksionojë në kuadër të Institutit të Lartë Politeknik (ILP), i ngritur në Tiranë në vitin 1951. Që në fillimet e në vazhdim, duke qenë “prezente” me lëndë të saj në të gjitha degët apo fakultetet teknike, katedra ka patur në përbërje pedagogë me formime inxhinierike të kombinuara, të diplomuar në Inxhinieri Ndërtimi, Inxhinieri Mekanike, Elektrike apo Gjeologji-Miniera. Fillimisht, katedra ka mbuluar tri lëndët “tradicionale” të saj, që janë “Mekanika Teorike (Racionale)”, “Rezistenca e Materialeve” dhe ”Statika e Ndërtimit”. Me kohën, numri i lëndëve është shtuar, duke iu përgjegjur edhe kërkesave për formim sa më të gjerë dhe të thellë të studentëve në drejtime të ndryshme të multi-disiplinës “Shkenca e Konstruksioneve” që shpesh nënkupton tërësinë e atyre lëndëve.
Sikurse katedra të tjera të ILP-së, edhe pedagogët e parë shqiptarë të katedrës së Rezistencës së Materialeve vinin të diplomuar nga shkolla teknike të larta jashtë vendit, kryesisht të Europës Lindore. Ndërkaq, për shkak të mungesës së përvojës si dhe kontekstit historiko-politik të kohës, planet dhe programet e para mësimore të katedrës u adoptuan sipas modelit të shkollave analoge të ish-Bashkimit Sovjetik. Po kështu, në Institutin Politeknik edhe leksionet në lëndët që mbulonte katedra fillimisht janë zhvilluar me asistencën e pedagogëve rusë (sovjetikë) që kishin ardhur aty për ndihmë ato kohë. Ndërkohë, duke treguar përkushtim të madh në punë, pedagogët shqiptarë kontribuonin efektivisht në ecurinë mësimore-shkencore të katedrës, sidomos me anën e konsultimeve që ata zhvillonin rregullisht me studentët. Këto konsultime bëheshin më se të domosdoshme edhe për shkak të mungesës së literaturës. Gradualisht, me kalimin e viteve, dhe sidomos kur Instituti u përfshi në kuadrin e Universitetit Shtetëror të Tiranës (të krijuar më 1957), lëndët mësimore të katedrës do të jepeshin vetëm nga pedagogët shqiptarë.
Në vitet e para të Institutit Politeknik, si pedagogë të katedrës janë aktivizuar Zija Këlliçi, Kiço Rambi, Pandi Stratobërdha, Efigjeni Floqi, Thanas Gaçe.
I diplomuar më 1950 në ish-BS (pasi, për disa vjet, 1939-1942, kish ndjekur studimet për Inxhinieri ndërtimi në Politeknikun e Torinos-Itali), Prof. Zija Këlliçi ka qenë lektori i parë shqiptar për lëndën “Rezistenca e Materialeve”. Krahas detyrave që ka mbajtur si drejtor i Institutit Politeknik dhe rektori i parë i Universitetit Shtetëror të Tiranës, ai ka qënë dhe drejtuesi (përgjegjësi) i parë i katedrës së Rezistencës së Materialeve. Qëndroi në këtë detyrë deri në vitin 1978.
Një ndër pedagogët e parë të katedrës, docent Kiço Rambi (diplomuar në ish-BS) do të kujtohet si figurë mjaft e respektuar dhe me kontribute të shquara mësimore-shkencore në lëndët Rezistenca e Materialeve dhe Statika e ndërtimit (në Statikë, fillimisht kontribute ka dhënë edhe prof Pandi Stratobërdha, që më tej iu përkushtua kryesisht shkencës së Hidaulikës). Me përvojën dhe nivelin e tij, docent K. Rambi la gjurmë mjaft pozitive në arritjet e katedrës veçanërisht në periudhën 1979-1984, kur ishte përgjegjës i saj.
Në lëndën e Rezistencës së Materialeve ka qenë angazhuar fillimisht edhe docente Efigjeni Floqi (diplomuar në ish-BS), një ndër inxhinieret dhe pedagoget e para universitare në vend. Më vonë, duke kaluar në katedrën e Konstruksioneve të ndërtimit, ajo u shqua aty si titullare e lëndës “Mekanika e trojeve dhe themelet”. E larguar në mesin e viteve ‘1970 nga Universiteti prej pushtetit të kohës për motive politike, ajo mbeti një figurë e nderuar dhe e paharruar për kolegët dhe studentët.
Ndër pedagogët e parë të katedrës, i angazhuar me lëndën “Mekanika Teorike”, ka qenë edhe prof. Thanas Gaçe (diplomuar në Çekosllovaki). Profesor i shumë breza studentësh, me leksionet e tij por dhe me tekste e materiale të tjera mësimore-shkencore ai dha kontribute të rëndësishme në konsolidimin e mësim-dhënies në këtë lëndë.
Me krijimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës (USHT) më 1957, aty u përfshi edhe Instituti ILP, që tani do të njihej si Fakulteti i Inxhinierisë i USHT, me katër degët e tij Ndërtim, Mekanike, Elektrike dhe Gjeologji-Miniera (më vonë, këto degë u ndanë në fakultete të veçanta). Duke qenë pjesë përbërëse e Fakultetit të Inxhinierisë, katedra e Rezistencës së Materialeve mbulonte mësim-dhënien për lëndë të ndryshme të saj në të gjitha degët apo fakultetet teknike të USHT-së, në përshtatje me planet dhe programet mësimore përkatëse. Ndërkaq, për t’iu përgjigjur edhe shtimit të vazhdueshëm të numrit të studentëve, ato kohë e në vijim katedra do të zgjerohej e përtëritej me pedagogë të rinj. Kështu, nga viti 1957 aktivizohet në lëndën “Mekanika Teorike” znj. Zana Harxhi, pedagoge e mirënjohur për përkushtimin dhe korrektësinë në mësim-dhënie; ndërkaq, në lëndën “Statika e Ndërtimit” nga viti 1958 aktivizohet docent Andrea Papastefani, që u dallua sidomos për aplikimin e metodave bashkëkohore në analizat statike (autor, në vitet ’1970, i disa punimeve origjinale mbi analizat matricore strukturore), si dhe për angazhimet e tij që në ato kohë (por dhe më vonë, në vitet ‘1980) me leksionet, për kurset pas-universitare, të “Teorisë së Elasticitetit”; gjithashtu, nga viti 1958 në lëndën Rezistenca e Materialeve është aktivizuar për disa kohë si pedagog edhe prof. Gëzim Mukli (më vonë ai kaloi në katedrën e Konstruksioneve të Ndërtimit, për lëndën e beton-armesë, ku u bë një nga personalitetet e njohura të kësaj fushe në vendin tonë).
Vitet ‘1950 shënojnë edhe kohën e ngritjes dhe zgjerimit të Laboratorit të Rezistencës së Materialeve. Në kohën e Institutit Politeknik, fillimisht me punët laboratorike në këtë lëndë ka qënë angazhuar z. Skënder Zhorda. Më vonë, duke filluar nga vitet ‘1960, për një kohë të gjatë (deri në vitin 1992), laborant i katedrës së Rezistencës së Materialeve ka qënë z. Sadik Asllani. Laborantë të katedrës kanë qënë edhe Reshat Disha, Shkëlqim Hoxha dhe Rozana Stërmasi. Vitet e fundit ne këtë detyrë ka qene angazhuar Inxh. Mario Hysenlliu, i cili është aktualisht pedagog i brendshem prane DMS.
Në periudhën që përfshin vitet 1960-1964 në katedrën e Rezistencës së materialeve filluan punë pedagogë të tjerë, të cilët me kohën u bënë profesorë mjaft të respektuar nga studentët dhe kolegët e tyre, si:
Docent Zyhdi Caslli, një emër ky i paharruar për katedrën, aktivizuar nga viti 1960 në lëndën “Rezistenca e Materialeve”, ku u shqua veçanërisht jo vetëm për nivelin shkencor, por dhe për anën metodike e kualitetet e larta në mësim-dhënie;
Dr.shk. Ksenofon Shteto, aktivizuar nga viti 1961 fillimisht në lëndën “Mekanika Teorike” dhe, më vonë, në lëndën “Rezistenca e Materialeve”, ku u dallua veçanërisht për kontributet e spikatura në fuqizimin dhe modernizimin e aktivitetit eksperimental në këtë lëndë;
Pedagogu Skënder Skënderi, i aktivizuar nga viti 1962 në lëndën “Rezistenca e materialeve” e, më vonë, kryesisht në “Statikën e Ndërtimit”, ku me përkushtimin dhe punën e palodhur si dhe me tekstet mësimore të përgatitura prej tij kontribuoi efektivisht për disa dekada në formimin e inxhinierëve të rinj me konceptet bazë të Statikës së Ndërtimit;
Profesor Robert Progri, aktivizuar nga viti 1964, fillimisht në lëndën “Mekanika Teorike”, i doktoruar në vitet ‘1980 në Francë në fusha teoriko-eksperimentale të mjedisit të vazhduar – për këto u bë i njohur si ndër specialistët e shquar të vendit – i cili do të drejtonte me kompetencë profesionale katedrën në periudhën 1984-1991, duke kontribuar edhe në modernizimin e bazës eksperimentale të saj.
Në fillim të viteve ’1960 pjesëtar efektiv i katedrës ka qënë edhe inxh. Ismail Topçiu (diplomuar në Francë, para L2B), i cili ka qenë i angazhuar në lëndën “Mekanika Teorike”.
Gjatë viteve 1965-1970 radhët e katedrës u shtuan edhe me disa pedagogë të tjerë, që vinin aty pas përvojave në fushën e projektimit, prodhimit dhe zbatimit në fusha të ndryshme inxhinierike. Ata janë: dr.shk. Rexhep Vaqari (Rez-Mat), docent Ismail Farka (Mek.Teorike), docent Niko Gjeçi (Rez-Mat), Nuri Muço (Rez-Mat), dr.shk. Vangjo Pasko (Rez-Mat), dr.shk. Thanas Dimroçi (Mek.Teorike). Duke u aktivizuar,
krahas mësimit, në mjaft tematika shkencore, ata kontribuan shumë në konsolidimin e punës mësimore-shkencore të katedrës, duke mbrojtur e fituar edhe grada shkencore e tituj akademikë. Dr.shk. R.Vaqarri ka kontribuar veçanërisht për komponenten eksperimentale të aktiviteteve në katedër, duke përgatitur e botuar për studentët edhe një Udhëzues për punimet laboratorike.
Gjatë periudhës së viteve ‘1970, efektiv i katedrës ka qënë edhe profesori i shquar e me reputacion ndërkombëtar në fushën e Shkencës së konstruksioneve, Prof. Gjovalin Gjadri. Ndërkohë, në kuadër të instituteve të Ministrisë së Ndërtimit të asaj kohe, ai kish zhvilluar e zhvillonte një aktivitet shumë të pasur studimor dhe projektues (në veçanti, për urat). Por, ndër veprat madhore të tij veçohet edhe libri “Shkenca e Konstrukcioneve”, botuar nga Universiteti Shtetëror i Tiranës në vitin 1965.
Ndërkohë, në dhjetvjeçarin 1970-1980 katedra zgjerohet me ardhjen, drejtpërdrejt pas diplomimit ose nga institucione/ndërmarrje projektuese-ndërtuese të vendit, e një brezi më të ri pedagogësh. Këta ishin: Violeta Icka (1972), Niko Pojani (1972), Kostandin Gjika (1972), Forcim Softa (1975), si dhe Skënder Shehu (1977) që qendroi në katedër për një periudhë të shkurtër. Më 1981, antare e katedrës bëhet edhe Betina Xhepa, e cila fillimisht (1979-1981) ishte pjesëtare e kadedrës së Hidroteknikës.
Është për t’u përmendur fakti që, sikurse ndodhi edhe me katedra të tjera të Universitetit të Tiranës, nga viti 1975 e në vazhdim katedra u përfshi në të ashtuquajturin “qarkullim kuadri”. Për shkak të këtij “qarkullimi” dhe motiveve të tjera, në ato vite shënohen largime të përkohshme ose përfundimtare nga Universiteti të disa anëtarëve të katedrës. Në këtë periudhë ndodh edhe akti i rëndë i burgosjes, me akuza politike, ndaj një anëtari të katedrës, docentit Ismail Farka, pedagog i Mekanikës Teorike dhe personalitet i njohur i fushës së Inxhinierisë mekanike të asaj kohe (diplomuar me rezultate të larta në ish-BS). Ai lirohet nga burgu më 1987 dhe kthehet në katedër pas ndryshimeve demokratike të sistemit politik në Shqipëri, më 1991. Në këtë periudhë (1991-1992) ai ushtroi për pak kohë detyrën e përgjegjësit të katedrës.
Në periudhën e viteve 1980-1992 dhe sidomos pas shkëputjes të degës së Ndërtimit nga ish-Fakulteti i Inxhinierisë dhe krijimit, më 1983, të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit (FIN), katedra, që tashmë u përfshi si pjesë përbërëse e tij, zgjerohet me një numur të konsiderueshëm pedagogësh. Këta ishin Pandeli Theodhori, Spartak Keta, Odise Koçi, Asllan Hajdari, Koço Bode, Dhimitër Gusho , Vladimir Puka , Arben Dervishaj , Indrit Mihali, Vasillaq Xoxe , Argjiro Gjika, Emil Prodani, Ajet Shëmbitraku , Arben Meçaj , Petraq Koka , Agim Seranaj . Ndërkaq, në gjysmën e dytë të kësaj periudhe, një pjesë e katedrës (kryesisht “Statika e ndërtimit/Teoria e strukturave”) kaloi përkohësisht në Departamentin e konstruksioneve – FIN, duke mbajtur, gjithsesi, lidhje të ngushta me katedrën e Rezistencës së Materialeve. Gjatë periudhës 1990-92, efektivë në katedër bëhen për pak kohë edhe docent Niko Zaka (për lëndën e Rezistencës së Materialeve), si dhe dr.shk. Jordan Misja (për Mekanikën Teorike).
Gjatë viteve 1980-1992 trupi mësimor-shkencor i katedrës do të angazhohej, krahas mësimit, edhe me përgatitjen e disertacioneve. Gjatë asaj periudhe grada “Kandidat i shkencave” (konvertuar më vonë në “Doktor i shkencave”) u fitua nga disa anëtarë të katedrës. Po kështu, do të vijonte përgatitja dhe botimi i disa teksteve mësimorë apo leksioneve të shkruara për studentët e cikleve të ndryshme të studimit. Këtu do të përfshiheshin tashmë edhe disa disiplina të rëndësishme të fushës së Shkencës së konstruksioneve të cilat, në atë periudhë, veçanërisht në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, do të bënin pjesë për herë të parë në programet mësimore. Të tilla ishin: Dinamika e strukturave dhe Inxhinieria sizmike, Qendueshmëria e strukturave, Pllakat e membranat, Teoria e Elasticitetit dhe Plasticitetit, Metoda e elementëve të fundëm, etj.
Ndryshimet demokratike dhe hapja ndaj botës në fillim të viteve ‘1990 u reflektuan me zhvillime dhe ndryshime të shumta edhe në universitet, si dhe në katedrën e Rezistencës së materialeve. Në atë kohë (v.1991) me fakultetet e karakterit inxhinierik të Universitetit të Tiranës krijohet Universiteti Politeknik. Ndërkaq, në kuadrin e reformimit të sistemit universitar, në vitin 1992 katedra e Rezistencës së Materialeve u plotësua me stafin mësimor-shkencor të Teorisë së strukturave dhe u riorganizua duke krijuar kështu Departamentin e Mekanikës së Strukturave, me tre seksionet përbërës vijues: “Mekanika Teorike (Racionale)”, “Rezistenca e Materialeve” dhe “Teoria e Strukturave”.
Me krijimin e departamentit dhe në vijim, drejtpërdrejt pas diplomimit ose të ardhur nga institucione/ndërmarrje projektuese-ndërtuese të vendit, në departament emërohen si efektivë këta pedagogë: Hektor Cullufi (1992), Alma Krasniqi (1992), Altin Bidaj (2000), Klement Qerimi (1999), Leonard Çomeni (2001), Luan Murtaj (2001), Enio Deneko (2000), Enkelejda Toli (2001), Lindita Kapllani(2002), Kristaq Premti (2002) – ish-projektues i njohur në fushën e konstruksioneve ndërtimore në vendin tonë, Markel Baballëku (2009), Irakli Premti (2014), Drilona Disha (2013), Anjeza Gjini (2014),
Në fakt, gjatë dhe pas ndryshimeve në vitet 1991-1992, në katedrën e Rezistencës së Materialeve e, më vonë, në Departamentin e Mekanikës së Strukturave ka patur lëvizje të konsiderueshme të stafit mësimor-shkencor. Një pjesë e tij janë larguar jashtë shtetit, një pjesë tjetër kaluan në departamente të tjera të FIN-it dhe UPT-së dhe një pjesë apo do të merrnin funksione apo do të kishin aktivizime të ndryshme profesionale dhe institucionale në sektorë jashtë UPT-së. Ka patur ndërkohë dhe rikthime pedagogësh të cilët, për arsye të ndryshme, ishin larguar kohë më parë si efektivë prej katedrës (departamentit).
Në vitet 1992-1993, me krijimin e Departamentit, në detyrën e përgjegjësit të tij ka qënë Prof. Niko Pojani. Ai e ka mbajtur këtë detyrë edhe në periudhat 1998-2000 dhe 2003-2008. Në periudhën 1994-1998 përgjegjës Departamenti ka qënë Dr. Vangjo Pasko, ndërkohë që gjatë viteve 2000-2003 ka qënë Prof.Asoc. Forcim Softa, kurse gjatë periudhës 2008-2016 Prof.Asoc. Hektor Cullufi. Gjatë periudhës 2016-2020 pergjegjes departamenti ka qene Dr.Altin Bidaj. Aktualisht qe prej vitit 2020, përgjegjës Departamenti është Dr. Irakli Premti.
Të grupuar sipas dy grupeve mësimore-kërkimore, pedagogë me kohë të plotë të departamentit (gjithsej 11), aktualisht janë:
- –Teoria e strukturave: Dr.Enio Deneko, Dr.Agim Seranaj, Dr.Luan Myrtaj, Dr.Markel Baballeku, Msc.Rikard Luka.
- Rezistenca e Materialeve: Dr.Irakli Premti, Dr.Altin Bidaj, Dr.Enkeleda Kokona, Dr.Drilona Disha, Dr.Anjeza Gjini, Dr.Mario Hysenlliu;
Ndërkaq, në Departament aktivizohen me mësimdhënie edhe disa pedagogë të ftuar (me kohë të pjesshme) ku mund te permendim:
1.Vasil Leka, Ergys Caushi, Ina Bajlozi, Spartak Tumani, Dr.Brisid Isufi, Roberto Vathkruja, Gerti Cela, etj
***
Gjatë periudhës së 1992-2018 për pjesëtarët e departamentit ka pasur kualifikime dhe specializime të shumta, të kryera brenda dhe jashtë vendit, veçanërisht në kuadrin e Projekteve TEMPUS, ERASMUS si dhe projekteve të tjera shkencore. Po kështu, gjatë kësaj periudhe prej tyre janë mbrojtur grada e fituar tituj shkencorë. Aktualisht, departamenti ka 10 anëtarë me gradë shkencore Dr.shkencash. Ndërkohë, nje pedagog efektive eshte në proces të përgatitjes së disertacionit të për fitimin e gradës Dr.shkencash.
Veç procesit “të zakonshëm” mësimor, departamenti ka qenë dhe mbetet aktualisht shumë i angazhuar për fazën përfundimtare të diplomimit të studentëve, në të tre nivelet e studimeve universitare. Ai ka kontribuar e kontribuon efektivisht në përgatitjen dhe fitimin nga ana e studentëve të provimit të formimit (niveli Bachelor), gjithashtu në përgatitjet, udhëheqjet dhe mbrojtjet e punimeve të diplomës të ciklit të dytë (niveli Master), si edhe me mësim-dhënie në kurset e studimit të ciklit të tretë (doktoraturës) dhe në udhëheqjen e disertacioneve të përgatitura në FIN në këtë kuadër.
Mbi bazën e punimeve shkencore të realizuara prej tyre, pedagogët e departamentit kanë shkruar shumë artikuj shkencorë dhe kanë paraqitur një numur të konsiderueshëm kumtesash e referatesh në konferenca dhe simpoziume të ndryshme shkencore, të botuar në revista shkencore si dhe përmbledhje studimesh, brenda dhe jashtë vendit. Me interes të veçantë dhe me dobi praktike kanë qënë në veçanti angazhimet e departamentit në disa projekte shkencore dhe aplikative-inxhinierike, ku kanë spikatur ato në fushën e Inxhinierisë sizmike.
Ndërkohë, si Katedra e Rezistencës së Materialeve ashtu dhe Departamenti i Mekanikës së Strukturave kanë synuar plotësimin sa më mirë të nevojave me libra dhe tekste mësimore, për lëndët e mbuluara prej tyre. Një listë e përmbledhur përkatëse jepet në vijim.
Në këtë mënyrë, duke rritur angazhimin pedagogjik dhe nivelin shkencor, Departamenti i Mekanikës së Strukturave do të garantojë edhe në të ardhmen mësimdhënie me nivel bashkëkohor, për një përgatitje sa më mirë të inxhinierëve të rinj si dhe do të kontribuojë, për fushat që ai mbulon, në zgjidhjen e problemeve të ndryshme shkencore-inxhinierike të vendit.
LIBRA DHE TEKSTE TE BOTUARA ME AUTORË PEDAGOGË TË KATEDRËS SË REZISTENCËS SË MATERIALEVE DHE DEPARTAMENTIT TË MEKANIKËS SË STRUKTURAVE
Nga fusha e Mekanikës Teorike (Racionale)
- –Th. Gaçe: “Leksione -Mekanika Teorike”, UT, Tiranë, 1967 dhe ribotime
- – R.Progri, Z.Çoçoli, Th. Dimroçi, K.Gjika: “Mekanika Teorike”, SHBLU, 1981
- – Katedra e Rez-Mat: “Ushtrime të Mek. Teorike”, UT, Tiranë, (1976);1982
- –R.Progri etj (grup autorësh):“ Teorike–Ushtrime të Statikës”,UT,1987
- – A. Hajdari, B. Xhepa: “Mekanika Inxhinierike 1”, SHBLU, Tiranë, 2001
Nga fusha e Rezistencës së Materialeve dhe Teorisë së Elasticitetit
- – Gj. Gjadri: “Shkenca e Konstrukcioneve”, USHT, 1965
- – Z. Këlliçi: “Leksione të Rezistencës së Materialeve”, USHT, Tiranë, 1966
- – A.Bidaj, I.Premti, M.Hysenlliu, D.Disha, A.Gjini: “Cikel Leksionesh të Rezistencës së Materialeve”, 2018
- – Z. Caslli: “Ushtrime e probleme të Rezistencës së Material.”, USHT, 1969
- –K.Shteto,N.Gjeçi,S.Skënderi,Z.Caslli:“Rezistenca e Mater.”(4 vëll) UT,1972
- Caslli, N. Muço, V. Pasko, K. Shteto, R.Vaqarri, N.Gjeçi, V.Icka: “Rezistenca e Materialeve” (në 2 vëll), UT, 1985
- Caslli: “Ushtrime të Rezistencës së Materialeve”, UT, 1986
- –R.Vaqarri:“Rezistenca e Materialeve–Udhëzim-Punë Laboratori”,UT, 1989
- – O.Koçi,B.Xhepa:“Teoria e Elasticitetit dhe Plasticitetit-Ushtrime”,1997-98
Nga fusha e Teorisë së Strukturave (Statika, Qendrueshmëria, Dinamika) dhe Inxhinierisë Sizmike
- – S.Skënderi: “Statika e Ndërtimit”, UT, Tiranë, 1973
- – S. Skënderi: “Ushtrime të Statikës së Ndërtimit”, UT, Tiranë, 1976
- –N.Pojani,R.Poloska:“Veprimi i tërmetit në konstruksione”,ASH, Tiranë,1982
- Pojani,N.Lako “Teoria e strukturave–Dinamika”, SHBLU (1987,2002);2006
- -F.Softa:“Teoria strukturave– Qëndruesh., Pllaka, Membrana”,SHBLU, 1990
- -N.Pojani, etj.(grup autor.):“Udhëz. metodik për llog. sizmike”, QS, 1990-91
- Skënderi,N.Lako,N.Pojani,F.Softa:“Teoria e strukturave–Statika”, T., 1991
- Pojani,B.Myslimaj:“Teoria e strukt.–Dinamika–Shëmbuj”, T. (1995);2002
- – N. Pojani: “Shëmbuj numerikë në Statikën e strukturave”, SHBLU, 2001
- – F.Softa: “Qendrueshmëria e strukturave”, SHBLU, Tiranë, 2002
- – N. Pojani: “Inxhinieria sizmike”, Toena, Tiranë, 2003
- – Stavileci, N.Pojani : “MEF në Mek. e strukturave”, Univ.Prishtinës, 2006
- –N.Pojani, H. Cullufi, N.Lako, M.Baballëku, R. Luka: “Metodat energjitike në Statikën e strukturave”, Toena, Tiranë 2009
- Softa:“Zbatime në Qëndrueshmërinë e strukturave”, SHBLU,2010
- Pojani, M.Baballëku, R.Luka:“Analiza matricore e strukturave”, Pegi,2013
- Pojani:”Shkenca e Konstruks. përgjatë historisë së saj“(2 vëll),Toena 2013
- Pojani, N. Lako, M. Baballëku, R.Luka :“Teoria e strukturave” (4 vëll; Statika, Qendrueshmëria, Dinamika, Inxhinieria dhe Arkitektura sizmike)”, Toena, 2016