Kërko
Search
Close this search box.
Search
Close this search box.

Historiku

               

                    HISTORIKU I DEPARTAMENTIT TË INXHINIERISË SË MJEDISIT

 

Departamenti i Inxhinierisë se Mjedisit është departamenti më i ri në Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit, i cili u themelua me VKM Nr. 150, datë 03.04.1995 bazuar tek Projekti Tempus S-JEP-070074-94, me propozim të rektoratit të UPT-së dhe Vendim të Ministrit të Arsimit, dt. 15.06.1995, nr. Prot. 2343/1, i bazuar në planin mësimor dhe stafin pedagogjik të aprovuar nga Senati i Universitetit Politeknik të Tiranës. Nevoja e krijimit të këtij Departamenti, u argumentua me problematikën imediate, që kishte vendi ynë, lidhur me problemet e ndotjes së mjedisit, si dhe mungesën e inxhinierëve të mjedisit, të cilët me kompetencë profesionale do të ndihmonin në zgjidhjen inxhinierike të problemeve të mjedisit.

 

Qëllimi i ngritjes së kësaj strukture në nivel departamenti ishte që në Shqipëri të përgatiten ekspertë të nivelit inxhinierik për mbrojtjen e mjedisit, kryesisht në profilin e ujit dhe energjisë. Departamenti i Inxhinierisë së Mjedisit ka aktivitetet e veta shkencore e profesionale, si dhe bashkëpunime me departamentet e tjera te këtij Fakulteti: Departamentin e Ndërtimit, Gjeodezisë dhe Hidroteknikës.

 

Sistemi i studimeve në DIM, sipas Kartës së Bolonjës, është 3 + 2 dhe lëshon diploma në ciklin e parë Bachelor në Inxhinieri Mjedisi dhe diploma të ciklit të dytë Master Shkencor, profili Trajtim Uji dhe Energjitik si dhe Master profesional në Inxhinieri Mjedisi. Ky departament në nivelin e masterit shkencor është i përbërë nga dy profile respektivisht: profili i Trajtimit të Ujit dhe profili Energjitik. Specifika më e dallueshme e këtij departamenti është se ai trajton disiplina bashkëkohore si:

  • Projektim impiantesh të trajtimit të ujit të ndotur urban, të ujit të pijshëm, impiante të trajtimit të ujit të ndotur industrial;
  • Trajtimi i mbeturinave urbane dhe industriale;
  • Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis;
  • Vlerësimi i cilësisë dhe rriskut në Mjedis;
  • Shfrytëzimi i Burimeve të Rinovueshme të Energjisë;
  • Eficenca e Energjisë në Ndërtesa;
  • Minimizimi i Ndotjes Atmosferike, etj.

 

Fushat e punësimit të Inxhinierëve të Mjedisit janë mjaft të gjera dhe ata mund të punojnë si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Në nivelin e institucioneve qendrore mund të përmendim: Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe agjensitë në varësi të saj, Ministria e Industrisë dhe Energjisë dhe agjensitë në varësi të saj, Drejtoria e Përgjithshme e Standardizimit, Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), Ministria e shëndetësisë, Agjensia Kombëtare e Mjedisit (AKM); Agjensitë Rajonale të Mjedisit; Agjensia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN); Agjensia e Eficencës së Energjisë (AEE). Në nivelin e institucioneve vendore mund të përmendim: Pjesëmarrje në planikimin urban, e më konkretisht me elementët e infrastrukturës urbane si, furnizimi me ujë, kanalizimet, trajtimi i ujit të ndotur urban, trajtimi i mbeturinave urbane. E padyshim këta inxhinierë mund të integrohen në të gjitha ato kompani private që operojnë sot në sektorin e Mjedisit, ujit, energjisë dhe ndërtimit në Shqipëri.