Në vitin 1951 u hap në Tiranë “Instituti i Lartë Politeknik “drejtor i të cilit u emërua Ing. Kiço Negovani. Në këtë institut përgatiteshin specialistë të lartë në degët e Mekanikës, Elektrike, Gjeologjisë dhe Ndërtimit. Në këtë institut pranë Kabinetit të Gjeodezisë u emëruan dhe specialistë gjeodetë që mbulonin lendën e gjeodezisë e topografisë në degën e ndërtimit, gjeologjisë e minerave. Zhvillimi i leksioneve në këto vite iu besua ing. Topograf Ali Bejtja. Seminaret, ushtrimet e laboratoret krahas z. Ali Bejtja, zhvilloheshin dhe nga tekniku topograf me përvojë Reshit Maloku. Në vitin mësimor 1953 – 1954 në zhvillimin e leksioneve e seminareve me degën e Ndërtimit u aktivizua si pedagog i jashtën edhe inxhinier gjeodet Hiqmet Gonxhja. Instituti i Lartë Politeknik në vitin 1954 emëroi si pedagog efektiv dhe shef të Kabinetit të Gjeodezisë z. Ing. Gjeodet Muharrem Dragovoja.
Nisur nga nevojat e mëdha që kishte vendi për specialistë topogjeodetë me propozim të Ministrisë Industri Minierave, Ministrisë së Bujqësisë dhe Ministrisë së Ndërtimit në vitin mësimor 1956 – 1957 pranë Institutit të Lartë Politeknik u hap dega e Gjeodezisë.
Mbi bazën e kabineteve të Gjeodezisë dhe Gjeografisë të instituteve përkatëse, me themelimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës në Shtator të vitit 1957 u krijua Katedra Gjeodezi – Gjeografi me 6 pedagogë efektivë, 3 pedagogë të jashtëm dhe 1 laborante.
Në punonjësit efektivë të kësaj katedre ishin Ing. Muharrem Dragovoja (Përgjegjës Katedre), Pandi Geço, ing. Ndoc Luli, Vasil Naçe, ing. Ibrahim Meçule, ing.Agim Shehu. Ndërsa si pedagogë të jashtëm ishin ing. Seid Dyrzi, ing. Hiqmet Gonxhja dhe ing. Guri Pojani.
Nga viti mësimor 1958 – 1959 deri në vitin 1960 janë aktivizuar në mësimdhënie edhe 6 specialistë të huaj me intervale nga 1 deri në 3 vjet. Këta janë V. Gudkov, I. Gudkov, I. Zaitov, I. Radionoviç, Borsh dhe Çervinskij.
Në vitin mësimor 1958 – 1959 ndahet dega e Gjeografisë, e cila iu bashkëngjit Fakultetit Histori- Filologji, ndërsa Gjeodezisë iu bashkua dega e Markshejderisë.
Katedra Gjeodezi – Gjeografi mbulonte 19 lëndë të zhvilluara në degët Topografi, Markshejderi, Ndërtim, Gjeologji, dhe Gjeografi. Për shkak të përbërjes tepër heterogjene të lëndëve të kësaj katedre në vitin 1960 dega e Marshejderisë iu aneksua Fakultetit të Gjeologjisë. Kështu pranë Fakultetit të Inxhinierisë mbeti Katedra e Gjeodezisë, e cila mbulonte 11 lëndë me 4 kuadro efektivë, 4 të jashtëm dhe 1 laborante. Punonjësit efektivë ishin Ing. Muharrem Dragovoja (Përgjegjës Katedre), ing. Ndoc Luli, ing. Agim Shehu, ing. Vasillaq Spaho (i sapo diplomuar) e Liri Imami si laborante. Si pedagogë të jashtëm u aktivizuan ing. Salih Çene, ing. Seid Dyrzi, ing. Hiqmet Gonxhja dhe ing. Guri Pojani. Në vitin mësimor 1961 – 1962 emërohet si pedagog efektiv në katedër dhe ing. Spiro Boçi.
Në vitin 1964 mbyllet dega e gjeodezisë, kështu që katedra e gjeodezisë zhvillon vetëm 3 lëndë në Fakultetin e Inxhinierisë, Gjeologjisë dhe Histori – Filologji duke aktivizuar vetëm 4 pedagogë efektivë (Muharrem Dragovoja, Ndoc Luli, Agim Shehu, Spiro Boçi)
Në vitin 1966 emërohet si pedagog efektiv në katedër ing. Muharrem Seseri. Kështu në këtë vit përbërja e Katedrës së Gjeodezisë është ing. Muharrem Dragovoja (përgjegjës katedre), ing. Ndoc Luli, ing. Muharrem Seseri dhe ing. Sabri Sinamati që zevendësoi Agim Shehun i cili qarkulloi në Durrës. Në këtë periudhë ing. Spiro Boçi kalon si efektiv në Katedrën e Hidroteknikës.
Me vendim Nr. 34/52 dt. 16.09.1969 rihapet Dega e Topo – Gjeodezisë, pranë Fakultetit teInxhinierisë, prandaj për të përballuar ngarkesën pedagogjke, u aktivizuan 9 pedagogë efektivë,( ing. Muharrem Dragovoja, ing. Ndoc Luli, ing. Spiro Boçi, ing. Muharrem Seseri, ing. Sabri Sinamati, ing. Skënder Lama, ing. Agim Shehu, ing. Haki Preza, ing. Ylli kolonja) 5 të jashtëm (Ing. Seid Dyrzi, ing. Hiqmet Gonxhja, ing. Salih Çene, ing. Vahid Tartari, ing. Petro Naska) dhe 2 laborantë (Liri Imami dhe Petro Maraci).
Me krijimin e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit (F.I.N.) në vitin 1983 Katedra e Gjeodezisë mbulon 13 lëndë në Degën e Gjeodezisë dhe 5 lëndë të tjera në degë të ndryshme brënda dhe jashtë fakultetit.
Në vitin 1987 Katedra e Gjeodezisë numëronte 15 pedagogë efektivë dhe 8 të jashtëm e 1 laborant. Për mbarëvajtjen e proçesit mësimor, edukativ dhe të punës shkencore, në vitin 1987 Katedra e Gjeodezisë ndahet në Katedrën e Gjeodezisë dhe Katedrën e Gjeodezisë së Përgjithshme. Katedra e gjeodezisë mbulonte 7 lëndë në degën e gjeodezisë me 7 pedagogë efektivë dhe 3 të jashtëm me 1 laborant, ndërsa Katedra e Gjeodezisë së Përgjithshme mbulonte 8 lëndë me 6 pedagogë efektivë dhe 5 të jashtëm.
Në vitin 1992 me reformimin e Unversitetit Politeknik të formuar në vitin 1991 nga ribashkimi i dy katedrave (Departamenteve), asaj të Gjeodezisë dhe të Gjeodezisë së Përgjithshme u formua Departamenti i Gjeodezisë.
Në vitet 1992 – 1997 Departamenti i Gjeodezisë u drejtua nga Prof Dr. Muharrem Seseri, 1997 – 2008 nga Prof. Asoc. Dr. Gëzim Bisha, 2008 – 2019 nga Prof. Asoc. Dr. Gëzim Gjata dhe që nga 2019 e në vijim Prof. Asoc. Dr. Namik Kopliku.
- Stafi i Departamentit të Gjeodezisë (që prej 2017) përbëhet prej 9 pedagogëve të brendshëm, 17-18 pedagogë të jashtëm dhe 2 Laborantë.
- Departamenti i Gjeodezisë, përbëhet nga 3 Grupe mësimore – kërkimore shkencore: për lëndët bazë teorike, për lëndët inxhinierike dhe për lëndët rilevuese & gjeoinformative.
- Në strukturën mësimore të Departamentit bëjnë pjesë: Laboratorët e Geomatikës, Gjeodezisë dhe Fotogrametrisë, të pajisur me mbi 35 kompjutera, si dhe instrumente gjeodezike modernë (marrësa satelitorë Trimble R8, nivela të saktësisë së lartë, teodolitë elektronikë dhe Stacione Total) në mbështetje të procesit mësimor, të Diplomave të nivelit MSc. dhe Doktorantëve.
- Departamenti i Gjeodezisë është institucioni i vetëm për arsimin e lartë në Shqipëri për “Inxhinier në Gjeodezi”. Edukimi në “Inxhinieri në Gjeodezi”realizohet në tre nivele: (1) Bachelor, (2) Mastër i Shkencave (MSc.)/Mastër Profesional (MP) dhe (3) PhD.
- Stafi i Departamentit të Gjeodezisë është përgjegjës gjithashtu për mësimin e Gjeodezisë Inxhinierike, Topografisë dhe Geomatikës (GIS) edhe në degët e tjera të FIN, si: “Inxhinier në Hidroteknikë/Ndërtim/ Mjedis” si dhe në “Arkitekturë & Urbanistikë” në FAU.
- Që nga viti 1957 deri në vitin 2018 janë diplomuar 1114 Inxhinierë Gjeodetë.
- Departamenti i Gjeodezisë ka dhënë kontribut dhe ka mbështetur krijimin e ALBPOS (Sistemi Shqiptar i Pozicionimit Satelitor), krijimin e NSDI nën parimet e INSPIRE 2007/2EC dhe krijimin e ASIG (Autoritetit Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor).
- Departamenti i Gjeodezisë, në 10 vitet e fundit ka marrë pjesë në disa Projekte të financuara nga Bashkimi Evropian: BALGEOS I (2008 – 2009); ALBPOS (2006 – 2010); BALGEOS II (2009 – 2010); OBSERVE (2010 – 2012); ERASMUS+, GEOWEB (2015-2018), ERASMUS+, BESTSDI (2016 – 2019), ERASMUS+, GEOBIZ (2019-2022).