Pasqyra
Çfarë bën një Inxhinier Gjeodet?
Gjeodezia është shkenca e matjeve në tokë, në det dhe në ajër nëpërmjet pajisjeve të thjeshta dhe moderne gjeodezike (teodolitë, nivela, stacione totale, marrës satelitore dhe teleskopëve të fuqishëm), e llogaritjeve matematike dhe të fizikës së aplikuar, për të përcaktuar pozicionet (1D, 2D, 3D dhe 4D), për të përcaktuar ndryshimet e kores së Tokës në plan dhe në lartësi, si dhe për të përcaktuar ndyshimet e fushës së gravitetit. Specialistët e GIS dhe specialistët e hartave përdorin të dhënat gjeodezike për një larmi të gjerë aplikimesh.
Gjeodetët matin ndryshimet e fushës së gravitetit, distancat midis pikave (trupave planetarë dhe Tokës ose pikave në Tokë) dhe proceset e çrregullta, si: lëvizja e kores së Tokës dhe aktivitetin polar. Duke u bazuar në trupat në hapësirë (yje, kuazare/galaktikat jashtë galaktikës tonë, planetët dhe satelitët), një gjeodezist mund të masë distancën ndërmjet dy pikave në Tokë me saktësi deri në rreth 1 mm për largësi 5000 – 10 000 km.
Ku punon një Inxhinier Gjeodet?
Shumica dërrmuese e gjeodetëve punojnë në shërbimet e planifikimit urban dhe të projekteve inxhinierike si Inxhinier Gjeodet (Inxhinier Topograf), të vetëpunësuar ose si pjesë e kompanive gjeodezike apo të ndërtimit.
Inxhinierët Gjeodetë pasi kryejnë matje tokësore për të siguruar planin topografik (Projeksioni i gjithë elementeve mbi/nën sipërfaqen e Tokës në një sipërfaqe plane apo elipsoidale), i cili i jepet arkitektit apo projektuesit të një projekti inxhinierik (rrugë, linjë tensioni lartë/ulët, kanal, tubacion, rezervuar, tunel, ura, porte, aeroporte, etj.) kanë detyrë vendosjen e projekteve të ndryshme inxhinierike në terren (piketimin e elementeve të projektit) dhe kontrollin e qëndrueshmërisë së tyre.
Një punëdhënës tjetër, ku Inxhinierët Gjeodetë punojnë janë institucionet qeveritare apo të pushtetit lokal, si: Autoriteti Shtetëror për Informacionin Gjeohapësinor (ASIG), Ministria e Infrastrukturës, Ministria e Ndërtimit, Agjencia e Kadastrës (në Qendër apo në zyrat rajonale në rrethe), Zyrat e urbanistikës pranë Bashkive, etj.
Cila është paga mesatare e një Inxhinieri Gjeodet?
Paga mesatare e një Inxhinieri Gjeodet varion 60 000 lekë (institucionet qeveritare apo të pushtetit lokal) – 150 000 lekë (kompanitë gjeodezike apo të ndërtimit).
Punët gjeodezike dhe përshkrimi i punës
Toka është gjithnjë në ndryshim me kalimin e kohës dhe studimi i karakteristikave të Tokës dhe topografia e Tokës është përshkrimi kryesor i punës së një Inxhinier Gjeodet (Bachelor).
Kërkesat për një Inxhinier Gjeodezist (Bachelor), janë:
- Një diplomë Bachelor në Gjeodezi.
- Aftësi teknike dhe të komunikimit (me gojë dhe me shkrim).
- Aftësi për të përdorur bazat e të dhënave kompjuterike dhe matematike.
- Aftësi për të përdorur pajisjet e specializuara të rilevimit; mirëmbajtjes dhe kalibrimit të pajisjeve.
- Të punoni në vende të ndryshme për të kryer vrojtime tokësore (drejtime horizontale/vertikale, largësi të pjerrëta/horizontale, ndryshime lartësish), në laborator apo për të marrë informacion nga satelitët.
- Aftësi për të kryer vrojtime tokësore për të përcaktuar koordinatat e sakta (1D, 2D, 3D dhe 4D).
- Aftësia për të krijuar plane dhe harta të hollësishme të karakteristikave të Tokës.
- Aftësi për të përcaktuar fushën magnetike dhe gravitacionale në Tokë.
- Aftësi për të mbledhur/rregjistruar të dhëna satelitore, dhe për t’i përpunuar/analizuar të dhënat satelitore për të përcaktuar ndryshimet dhe konstantat në topografinë e Tokës, fushat magnetike dhe gravitacionale.
Roli i një Gjeodeisti të Lartë (Master Shkencor/ Profesional në Inxhinieri Gjeodezi) është i ngjashëm me një Inxhinier Gjeodet (Bachelor) me përfshirjen e mundshme të detyrave administrative dhe menaxhuese.
Kërkesat për një Master Shkencor/ Profesional në “Inxhinieri Gjeodezi”, janë:
- Një diplomë Master ose PhD. në gjeodezi.
- Përvojë për të punuar me bazat e të dhënave përkatëse, satelitët dhe pajisjet e specializuara të rilevimit.
- Aftësi për të qenë i orientuar drejt detajeve dhe shumë i organizuar për t’i dhënë përparësi projekteve të ndryshme.
- Aftësi për të menaxhuar buxhetet për projektet e gjeodezisë dhe për të paraqitur/dhënë informacion para aktorëve, agjencive ose menaxhimit të ndërmarrjes.
- Të gatshëm/të mundshëm të udhëtoni në zona të ndryshme në terren për të menaxhuar ekipet e gjeodezistëve dhe për të siguruar trajnimin e nevojshëm.
- Aftësi për të mbikëqyrur (supervizuar) projektet dhe për të siguruar të dhëna për përmirësime.
- Shkathtësi të shkëlqyera komunikimi për të siguruar trajnime dhe prezantime mbi informacionin e mbledhur.
- Aftësi për të verifikuar dhe analizuar të dhënat e mbledhura nga kolegët gjeodeistë për të përcaktuar rezultate të rëndësishme.
- Aftësi për të zhvilluar programe dhe metoda të reja kërkimore për të kontribuar në komunitetin shkencor.
- Aftësi për të siguruar mbështetje arsimore për universitetet ose kolegjet; të mësojnë gjeodezinë në një institut arsimor.
Cilat janë kërkesat e arsimit për t'u bërë Inxhinier Gjeodet?
Përgatitja e një plani topografik kërkon minimalisht një Diplomë Bachelor, e cila i pajis studentët me njohuri në matematikë, fizikë, hartografi, GIS, Fotogrametri, GNSS, etj.
Për vendet e punës në institucionet qeveritare dhe projektet më të mëdha, një Diplomë Master do të jetë jetike – veçanërisht për ata që shpresojnë të menaxhojnë vetë projektet e tyre. Gjatë dekadës së ardhshme, mund të jetë zgjedhje e mençur të vetë- punësoheni duke studiuar për një master. Për gradë më të avancuar në fushën e gjeodezisë kërkohen njohuri më të avancuara për proceset natyrore, në matematikë, fizikë, teknologjinë GNSS, Fotogrametri, Hartografi, Imazhet satelitore, etj.
Për të punuar në institutet kërkimore më të përparuara në vend dhe në botë, kërkohet Doktoraturë në Gjeodezi.