Përshëndetje,

Është privilegj të jesh pjesë e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, si njësia kryesore akademike e Universitetit Politeknik të Tiranës, me një staf akademik të përkushtuar për të siguruar mësimdhënie cilësore si dhe udhëheqje shkencore në lartësinë e duhur, në funksion të arritjes së nivelit më të lartë të mundshëm të përsosmërisë dhe cilësisë në studime dhe kërkime shkencore. Fakulteti me përgatitjen dhe motivimin për sfida të ndryshme në shekullin e ri, si ato të integrimit dhe globalizimit të dijes dhe shkencës, me një staf drejtues të angazhuar, e ka kthyer fakultetin në një arenë të dijes në nivel rajonal, pse jo dhe më gjerë, pasi pozicioni i tij si lider në Universitetin Politeknik, tashmë është një realitet i pranuar nga shoqëria dhe institucionet arsimore brënda dhe jashtë vendit. Rritja e cilësisë së shërbimit në mënyrë të veçantë dhe përsosja e nivelit të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor arrihen nëpërmjet komunikimeve të vazhdueshme dhe të frytshme me studentët. Fakulteti Inxhinierisë së Ndërtimit është promotor i elitës studentore, të cilën e ndihmon me forma nga më të ndryshmet, duke nxitur dhe përkrahur edhe funksionimin e përfaqësive studentore, që studentët si një nga grupet kryesore të interesit në fakultet, të jenë pjesë e procesit të vendimmarrjes. Me arritjet shkencore dhe me përparimet e vazhdueshme në gjithë këto vite, është ridimensionuar pozita e fakultetit tonë në Universitetin Politeknik të Tiranës, në shkallë vendi dhe më gjerë. Shkolla e doktoratës, e mbështetur në projektet për kërkime shkencore, angazhimi ynë për rekrutimin e studentëve të motivuar, pjesëmarrja e vazhdueshme në programe dhe kurikula mësimore të tjera të reja dhe hapjen e dyerve tona për të gjithë ata që kanë mbaruar studimet pasuniversitare jashtë vendit, do të ndihmojë për të përcaktuar perspektivën e të ardhmen tonë. Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, si njësia kryesore, më e madhe dhe me më eksperiencë e UPT që nga viti 1951, i ka dhënë vendit mbi 3800 inxhinierë ndërtimi,1000 inxhinierë hidroteknik, 670 inxhinierë gjeodetë dhe 500 inxhinierë mjedisi, të cilët kanë kontribuar në veprat më të mëdha dhe më të rëndësishme në fushën e ndërtimit. Në to është shkrirë mendimi më i përparuar dhe shkencor i inxhinierëve të formuar dhe përgatitur në auditorët e këtij fakulteti. Kjo është shprehja më e qartë e suksesit të realizimit të misionit që ka Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit në edukimin dhe përgatitjen e inxhinierëve në profile të ndryshme, me dije dhe njohuri bashkëkohore, të aftë për tregun e punës. Ju ftoj te gjithëve, staf akademik, administrativ dhe përfaqësi studentore, te përpiqemi pareshtur per te ngritur Fakultetin e Inxhinierisë se Ndërtimit ne nje nivel akoma me te larte mësimor e shkencor.